Sytë janë organe shqisore çift që mundësojnë shikimin. Anatomikisht, syri ndahet në tre shtresa: tunika fibroze (kornea dhe sklera), tunika vaskulare (choroid, irisi dhe trupi ciliari) dhe tunika nervore (retina)
Tunika Fibrozë (Shtresa e Jashtme)
Shtresa e jashtme fibrozë e syrit përbëhet nga kornea transparente dhe sklera opake. Së bashku, ato formojnë një kapsulë mbrojtëse dhe ndihmojnë në ruajtjen e formës sferike të syrit.
Kornea, si një sipërfaqe refraktive kryesore, që ndodhet ne pjesën anteriore të tunikës fibroze dhe karakteri transparent i saj lejon që drita të hyjë brenda syrit. Ajo është avaskulare, por ushqehet me nutricione përmes lëngut ujor (aqueous humor) dhe me oksigjen përmes presionit atmosferik kur syri është i hapur dhe konjuktivave kur ai mbyllet. Funksioni i kornesë është përthyerja e dritës, duke siguruar pjesën më të madhe të fuqisë optike të syrit. Refleksi korneal është aftësia për të mbyllur syrin në rastin e prekjes nga një trup i jashtëm, i cili ndërmjetësohet nga nervi oftalmik (CN V1) si hark aferent (receptor) dhe nga nervi i facial (CN VII) për muskulin orbicularis oculi si hark eferent (motor).
Nga ana tjetër, Sklera siguron pika lidhjeje për muskujt ekstraokularë, duke mbështetur dhe mbrojtur syrin dhe stabilizimin e formës së tij. Episklera është shtresa më e jashtme e sklerës që përmban vaskulaturën të përbërë nga arteriolat sklerike, të cilat janë degë të arterieve muskulare që shërbejnë për ushqimin nutricional të sklerës dhe venulat sklerike të cilat bëjnë drenimin e lëngut ujor (aqueous humor) drejt venes oftalmike superiore. (Rruga e drenimit të këtij lëngu do të shpjegohet në patologjinë përkatëse, mjafton nje kuptim mbi anatominë në këtë blog)

Tunika Vaskulare (Shtresa e Mesme): Uvea
Tunika vaskulare e pigmentuar përfshin irisin, trupin ciliari dhe korioidean.
Irisi është një membranë pigmentare me një hapje qendrore, pupilen, e cila ndryshon madhësinë në varësi të intensitetit të dritës. Irisi përmban muskuj të lëmuar radialë dhe rrethorë, të cilët ndërmjetësojnë zgjerimin dhe tkurrjen e pupilës (midriazë/stimulimit simpatik dhe miozë/stimulimit parasimpatik). Ai gjithashtu përcakton ngjyrën e syrit dhe rregullon sasinë e dritës që arrin retinën.
Trupi ciliar, i vendosur pas irisit, përbëhet nga unaza ciliare, epiteliumi ciliar dhe muskujt ciliarë. Epiteliumi ciliar përfshin një shtresë të pigmentuar dhe një shtresë jo të pigmentuar, ndërsa muskujt ciliarë ndihmojnë në akomodimin nëpërmjet ligamenteve suspensorë të lidhur me thjerrëzën, duke ndryshuar konveksitetin e saj për të përqendruar objektet në distanca të ndryshme. Trupi ciliari gjithashtu prodhon lëngun ujor.
Korioidea përbëhet nga një rrjet i dendur i stromeve pigmentare dhe enëve të gjakut, të cilat furnizojnë retinën me lëndë ushqyese.

Tunika Nervore (Shtresa më e Brendshme): Retina
Retina përmban qeliza nervore që regjistrojnë sinjalet e dritës (qelizat shkopinj dhe kone) dhe i përkthejnë ato në sinjale neuronale që transmetohen në tru. Dy tiparet kryesore anatomike janë disku optik dhe makula.
Disku optik është vendi ku aksonet e qelizave ganglionare dalin nga syri për të formuar nervin optik. Ky disk ndodhet medialisht nga fovea centralis dhe nuk ka receptorë të dritës, duke shkaktuar një pikë të verbër (skotoma fiziologjike). Ai përmban kupën optike (optic cup), ku kalojnë enët retinale.
Makula është një pikë e verdhë ovale pranë qendrës së murit të pasmë të retinës, e cila nuk ka enë gjaku dhe përmban fovea centralis. Fovea është vendi i vizionit më të mprehtë, duke përmbajtur dendësinë më të lartë të koneve, secila e lidhur me një qelizë ganglionare.

Segmentet e Syrit
Syri ndahet në dy segmente kryesore: segmentin anterior dhe segmentin posterior, secili me veçoritë dhe përbërësit përkatës.
Segmenti Anterior:
Segmenti anterior përbëhet nga dhoma anteriore dhe dhoma posteriore të syrit, të mbushura me lëng ujor. Ky segment ka këto komponentë:
Thjerrëza, e cila është një strukturë transparente, e kapsuluar dhe bikonvekse fleksibile. Ajo mbahet në pozicion nga ligamentet suspensorë të thjerrëzës, të cilat lidhen radialisht me proceset ciliare nga ana laterale dhe me kapsulën e thjerrëzës nga ana mediale. Këto lidhje sigurojnë elasticitetin dhe pozicionin e thjerrëzës, duke lejuar akomodimin. Si funksion thjerrëza bën përqendrimin në objektet e largëta që shoqërohet me një ulje të konveksitetit të saj, ndërsa për objektet e afërta konveksiteti rritet, proces i ndërmjetësuar nga muskujt ciliarë.
Lëngu ujor është një lëng që sintetizohet nga plazma e gjakut në trupin ciliar. Ky lëng mban presionin intraokular dhe furnizon me lëndë ushqyese thjerrëzën dhe kornenë. Komponentë të tjerë të segmentit anterior përfshijnë kornenë, irisin dhe trupin ciliar.
Segmenti Posterior:
Segmenti posterior përmban lëngun qelqor (vitreous humor), i cili mbush dhomën vitreale, retinën, korioidean, sklërën dhe pjesën terminale të nervit optik. Ky lëng mbështet thjerrëzën dhe mban retinën në vendin e saj.
Dhomat e Syrit
Syri ndahet në tri dhoma kryesore: dhomën anteriore, dhomën posteriore dhe dhomën vitreale.
Dhoma Anteriore: Midis kornesës dhe irisit. Menaxhon rrjedhjen e humorit ujor dhe mban presionin intraokular
- Anterior: sipërfaqja e pasme e korneës.
- Posterior: sipërfaqja e përparme e thjerrëzës, irisit dhe trupit ciliar.
- Lateralisht: rrjeti trabekular dhe kanali i Schlemm-it.

Dhoma Posteriore: Midis irisit dhe thjerrëzës.
- Anterior: sipërfaqja e pasme e irisit.
- Posterior: fijet zonulare të thjerrëzës (pra ligamentet suspensorë) dhe vetë thjerrëza.
- Lateralisht: proceset ciliare.
Dhoma Vitreale: Midis thjerrëzës dhe retinës. Mbushur me lëngun qelqor, kjo dhomë zë rreth 80% të vëllimit të syrit, duke mbështetur strukturat e brendshme
References:
Smith SD, Singh K, Lin SC, et al. Assessment of aqueous outflow facility in human eyes. J Glaucoma. 2010; 19(8): p.571-6.
Johnson M. What controls aqueous humor outflow resistance? Exp Eye Res. 2006; 82(4): p.545-57.
van Buskirk EM. Changes in the facility of aqueous outflow induced by sympathetic stimulation. Invest Ophthalmol Vis Sci. 1976; 15(5): p.480-5.
Swaminathan SS, Oh DJ, Kang MH, Rhee DJ. Aqueous outflow: segmental and distal flow.. J Cataract Refract Surg. 2014; 40(8): p.1263-72.
Ahmed HU. A case of mistaken muscles. BMJ. 2002; 324(7343): p.962-962.
Klevis Doçi
Founder