Trauma në sy mund të shkaktohet nga impakte penetruese ose blunt, si dhe nga djegie kimike, termike apo ato të shkaktuara nga rrezatimi. Prezantimi klinik ndryshon në varësi të llojit të dëmtimit, por simptomat e zakonshme përfshijnë dhimbje dhe ulje të mprehtësisë vizuale. Qasja fillestare diagnostikuese synon të identifikojë shenjat paralajmëruese të dëmtimeve serioze të syrit.
Hapat kryesorë në trajtimin e traumës okulare :
- Identifikimi dhe trajtimi i gjendjeve kërcënuese për jetën: Kjo përfshin ndërhyrjet emergjente për gjendjet që kërcënojnë shikimin, si:
- Djegiet kimike të syrit: larje e menjëhershme me sasi të mëdha uji.
- Sindroma e kompartimentit orbital: kantotomia dhe kantoliza laterale.
Mbledhja e historikut të saktë mjekësor: Pyesni për simptomat, mekanizmin e dëmtimit, operacione të mëparshme okulare ose përdorimin e medikamenteve oftalmologjike.
Kryerja e një ekzaminimi okular: Kjo përfshin vlerësimin e mprehtësisë vizuale, ekzaminimin me slit lamp dhe ngjyrues fluoreshentë.
Në rastet kur ekzaminimi kërkon manipulime që mund të përkeqësojnë dëmtimin, rekomandohet kryerja e një skanimi CT të orbitave pa kontrast. Si dhe në rastet e dyshimit për djegie okulare nga faktorë kimik, procesi i diagnostikimit ndalohet dhe vazhdohet shpërlarja në sasi.
Shenjat paralajmëruese për dëmtime serioze të syrit:
- Proptozë
- Trup i huaj
- Glob i deformuar dukshëm
- Mungesa e refleksit të kuq
- Defekt i pupillës aferente
- Pupilë me formë jo normale
- Reduktim i mprehtësisë vizuale
- Diplopi
Kontuzioni me Glob të Mbyllur
Kontuzioni i globit të mbyllur është një dëmtim traumatik i një ose më shumë strukturave intraokulare, pa shkaktuar laceracion ose rupturë të plotë të sklerës ose kornesë. Ky dëmtim ndodh zakonisht si pasojë e një blunt trauma që transmetohet në sy. Trauma të tilla mund të ndodhin gjatë aksidenteve, goditjeve të drejtpërdrejta në fytyrë, ose aktivitetit sportiv. Simptomat janë specifike për llojin e dëmtimit dhe përfshijnë dhimbje, ndjesi të trupit të huaj, fotofobi dhe ulje të mprehtësisë vizuale. Disa pacientë raportojnë diplopi monoculare (dyfishim i pamjes në njërin sy) dhe kanë shenja si ekimoza (nxirje) ose edemë periorbitale.
Dëmtimet e Segmentit të Parë të Syrit
- Konjunktiva: Dëmtimet mund të përfshijnë hemorragji subkonjunktivale, abrasione ose laceracione të konjunktivës. Këto janë shpesh sipërfaqësore, por mund të jenë të dhimbshme dhe të ndjeshme ndaj infeksionit.
- Kornea: Abrasionet korneale janë të zakonshme dhe shpesh shkaktojnë ndjesi të trupit të huaj dhe dhimbje. Laceracionet korneale dhe trupat e huaj janë më serioze dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
- Dhoma e përparme: Hiphema, e cila është prania e gjakut në dhomën e përparme, mund të ndodhë si pasojë e traumës dhe shpesh shoqërohet me ulje të përkohshme të mprehtësisë vizuale.
- Kristalini: Dislokimi traumatik i kristalinit mund të ndikojë në fokusimin e dritës dhe kërkon trajtim oftalmologjik.
- Irisi: Iridodializa (shkëputje e irisit) ose prolapsi i irisit përmes një plagë korneale ose sklerale janë dëmtime më serioze që mund të kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.
Dëmtimet e Segmentit të Pasëm të Syrit
- Lëngu Qelqor: Hemorragjia traumatike në lëngun qelqor ndodh kur ka gjakderdhje në brendësi të syrit, duke shkaktuar turbullim të pamjes.
- Sklera: Laceracionet sklerale janë dëmtime të thella që kërkojnë trajtim të menjëhershëm për të parandaluar komplikimet e mëtejshme.
- Retina: Shkëputja traumatike e retinës ndodh kur shtresat e saj ndahen, duke shkaktuar humbje të mprehtësisë vizuale që mund të jetë e përhershme nëse nuk trajtohet menjëherë. Commotio retinae (edema Berlini): Një edemë traumatike e retinës si pasojë e një goditjeje të fortë. Zakonisht shfaqet me ulje të mprehtësisë vizuale, por nëse nuk preket makula, pacienti mund të jetë asimptomatik. Ekzaminimi fundoskopik zbulon një retinë gri dhe ndonjëherë hemorragji intraokulare në raste të rënda. Trajtimi specifik zakonisht nuk kërkohet, por duhen kryer ekzaminime të përsëritura për të monitoruar për shkëputje të vonuar të retinës. Në shumicën e rasteve të lehta, shërimi ndodh brenda disa javësh pa trajtim.
Menaxhimi dhe Prognoza
Për shumicën e dëmtimeve, qasja terapeutike fokusohet në parandalimin e komplikimeve të mëtejshme dhe ruajtjen e funksionit vizual. Në rastet e lehta, dëmtimet kanë një prognozë të mirë, ndërsa dëmtimet më serioze kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar humbjen e përhershme të shikimit.
Dëmtimet me Glob të hapur
Dëmtimet me globit të hapur përfaqësojnë një laceracion ose perforacion të plotë të trashësisë së globit të syrit. Kjo gjendje përfshin një komprometim të rëndë të integritetit të strukturave të syrit dhe është një emergjencë mjekësore. Sipas etiologjisë ato ndahen në:
- Trauma penetruese: Shpesh përfshin një laceracion të globit, zakonisht për shkak të objekteve të mprehta ose goditjeve aksidentale.
- Trauma blunt high-velocity: Mund të shkaktojë rupturë të globit si pasojë e forcave ekstreme të goditjes.
Shenjat paralajmëruese serioze për Dëmtime të Globit të Hapur
- Deformime të dukshme: Syri mund të duket i shformuar ose të ketë humbje të dukshme të vëllimit.
- Laceracione të dukshme me trashësi të plotë
- Pupila e formës së çrregullt
- Prania e trupave të huaj
- Hemorragji subkonjunktivale masive
- Probleme me lëvizshmërinë e syrit dhe ulje të mprehtësisë vizuale: Këto janë shenja serioze që kërkojnë vlerësim të menjëhershëm.
Diagnoza
- Ekzaminimi i syrit: Përdorimi i slit lamp dhe fundoskopisë ndihmon në vlerësimin e dëmtimeve të segmentit të përparmë dhe të pasëm të syrit.
- Testi i Seidel: Aplikimi i ngjyrës fluoreshente mund të tregojë rrjedhjen e lëngut nga globi, duke sugjeruar një dëmtim të hapur.
- Imazheria: CT pa kontrast është e dobishme për të identifikuar trupa të huaj intraokularë ose për të vlerësuar dëmtime që nuk mund të shihen drejtpërdrejt.
Trajtimi
- Ndërprerja e menjëhershme e ekzaminimit: Nëse dyshohet për dëmtim të hapur, duhet të ndalohet çdo manipulim i mëtejshëm i syrit.
- Mbrojtja: Vendosja e një mburoje mbrojtëse për të parandaluar përkeqësimin e dëmtimit.
- Kontrolli i dhimbjes dhe të vjellave: Përdorimi i analgjezikëve dhe antiemetikëve është thelbësor për të shmangur rritjen e presionit intraokular.
- Antibiotikët sistemikë: Trajtimi parandalues me vancomycin dhe ceftazidime ose ciprofloxacin është i rëndësishëm për të parandaluar endoftalmitisin, një infeksion serioz që mund të çojë në humbjen e shikimit ose të syrit.
- Imunizimi ndaj tetanozit: Duhet të konsiderohet në varësi të historisë së vaksinimit të pacientit.
Komplikimet
- Humbja e përhershme e shikimit: Dëmtimet e pakorrigjuara mund të rezultojnë në verbëri.
- Endoftalmitisi: Një infeksion intraokular që mund të jetë më i dëmshëm se vetë dëmtimi fillestar.
- Simpatia oftalmike: Një reaksion autoimun i vonuar që prek të dy sytë, duke shkaktuar irritim, fotofobi dhe humbje graduale të shikimit. Kjo kërkon trajtim me glukokortikoide ose imunomodulatorë dhe ndonjëherë heqjen e syrit të dëmtuar.
Frakturat Orbitale
Frakturat orbitale janë një lloj dëmtimi i zakonshëm që ndodh pas traumave faciale, dhe shpesh shoqërohen me dëmtime të syrit. Ato përfshijnë fraktura të dyshemesë ose mureve orbitale pa prekur kufirin orbital (fraktura blowout), si dhe fraktura të kombinuara që prekin si muret ashtu edhe kufirin orbital.
Këto fraktura shkaktohen kryesisht nga trauma të forta, si goditjet e drejtpërdrejta ose aksidentet automobilistike, që transmetojnë forcën në pjesët më të dobëta të orbitës. Si pasojë, pacientët ndjehen me dhimbje përreth syrit, ënjtje dhe mavijosje. Deformimet e syrit, si enophthalmo) ose proptosis, janë të zakonshme, dhe shumë pacientë raportojnë vështirësi në shikim, sidomos gjatë lëvizjes së syrit lart. Ekziston gjithashtu mundësia e humbjes së ndjeshmërisë në zonën infraorbitale dhe simptoma të tjera si të vjella dhe ngadalësim i ritmit të zemrës, i njohur si refleksi okulokardiak. Për diagnostikimin e këtyre frakturave, është e rëndësishme të bëhet një ekzaminim fizik i kujdesshëm, duke kontrolluar kufirin orbital dhe testuar lëvizjet e muskujve të syrit për të identifikuar bllokime të mundshme. Ekzaminimi me CT është i domosdoshëm për të identifikuar dëmtimet dhe për të zbuluar shenja si “Teardrop Sign”, ku inde orbitale mund të dalin në sinuset inferiore. X-ray përdoret gjithashtu për të diagnostikuar këto dëmtime, por është më pak i detajuar se CT.
Menaxhimi i këtyre frakturave përfshin mbështetje të përgjithshme, si ngritja e kokës së shtratit dhe aplikimi i akullit për 48 orët e para. Në raste më të rënda, mund të nevojitet kirurgji për riparimin e frakturës për frakturat që nuk i përgjigjen trajtimeve konservative. Gjithashtu, është e rëndësishme të udhëzohen pacientët të shmangin manovra që mund të përkeqësojnë situatën, si fryrja e hundës ose teshtitja me gojën e mbyllur, pasi mund të shkaktojnë emfizemë orbitale dhe sindromë të kompartimentit orbital. Nëse kemi paraqitje në CT të sinusitis, duhet të japim antibiotikë në mënyrë profilaktike, ose nëse pacienti ka lagoftalmos, duhet dhënë pomadë lubrifikuese.
Djegiet Okulare
Djegiet kimike të syrit ndodhin kur substanca acidike ose alkaline bien në kontakt me syrin, duke shkaktuar dëmtim të pakthyeshëm në një periudhë shumë të shkurtër, madje brenda 5–15 minutash.
Substancat alkaline, si pastrueset e sobës dhe kanaleve, ose plehrat, janë veçanërisht të dëmshme për syrin. Substancat acidike, si acidi i baterive, gjithashtu mund të shkaktojnë djegie, por nuk janë aq të dëmshme sa substancat alkaline. Simptomat e djegieve kimike përfshijnë dhimbje të forta, mbyllje të papërshkrueshme të qepallës (blefarospazëm), ndjeshmëri ndaj dritës (fotofobi) dhe sekretim i tepërt (epifora). Gjatë ekzaminimit mund të vihen re shenja si erythema i konjuktivës, erozion i kornesë dhe ënjtje e qepallave. Menaxhimi i djegieve kimike të syrit është urgjent dhe përfshin shpëlarje të menjëhershme të syrit me sasi të mëdha lëngu (të paktën 2 litra) për të pastruar substancën kimike. Pas shpëlarjes, matja e pH-së është e domosdoshme dhe duhet të vazhdojë shpëlarja nëse pH-ja nuk është 7-7.5. Po ashtu, duhet të inspektohen qepallat për çdo material të mbetur kimik. Pas normalizimit të pH-së, vazhdon trajtimi i zakonshëm për dëmtimet traumatikë të syrit. Një nga faktorët më të rëndësishëm për parandalimin e humbjes së shikimit është shpëlarja e menjëhershme e syrit, dhe pacientët jashtë spitalit duhet të udhëzohen të shpëlarin syrit për të paktën 15 minuta me ujë, para se të shkojnë në urgjencë.
Komplikimet që mund të ndodhin përfshijnë verbimin, ndotjen dhe plagosjen e kornesë, si dhe rritjen e presionit të syrit (glaukomë) ose lidhjen e qepallave me syrin (symblepharon).
Laceracioni i qepallës së syrit
Plagët e qepallave mund të shkaktohen nga trauma blunt ose penetrimi, kafshime nga kafshët dhe aksidente të tjera. Fillohet me vlerësimin e dëmtimit të syrit dhe përjashtimin e mundësisë për një dëmtim të globit të hapur. Në disa raste, mund të jetë e nevojshme të bëhet një CT pa kontrast për të identifikuar trupat e huaj të dyshuar. Vlerëso gjithashtu dëmtimet e kanaleve lakrimale dhe realizo riparimin e plagës. Për plagët e thjeshta, mund të bëhet mbyllja e plagës me teknika të zakonshme. Në rastet e plagëve komplekse, kërkohet kirurgjia për riparim. Për plagët nga kafshimet, duhen administruar antibiotikë dhe profilaksia për rabie, nëse është e nevojshme.
References
- Nerad JA. Techniques in Ophthalmic Plastic Surgery E-Book. Elsevier Health Sciences; 2020
- Bord SP, Linden J. Trauma to the Globe and Orbit. Emerg Med Clin North Am. 2008; 26(1): p.97-123.
- Dhillon J. Approach to: Ocular trauma. McGill Med J. 2021; 19(1).
- Heath Jeffery RC, Dobes J, Chen FK. Eye injuries: Understanding ocular trauma. Aust J Gen Pract. 2022; 51(7): p.476-482.
Klevis Doçi
Founder




